Ekspert vendor / Trajner
Ftesë për Aplikim – Ekspert vendor / Trajner
Ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare në QENDRAT E KUJDESIT DITOR – PEMA
Termat e Referencës
PEMA është organizatë jo-qeveritare në Kosovë, e cila bashkëpunon me autoritetet qendrore, institucionet lokale dhe organizatat tjera për të ofruar shërbime sociale të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara. Vizioni i PEMA-s është që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje në shërbime të specializuara të cilësisë së lartë dhe të jenë të integruar plotësisht në shoqëri.
PEMA, në partneritet me strehimoren Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve (SDSF), është duke implementuar projektin “Mbrojtja sociale e grupeve më të cenueshme të fëmijëve – ofrimi i shërbimeve gjithëpërfshirëse psikosociale, të strehimit dhe të rehabilitimit”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, ku krahas mbështetjes në ofrim të shërbimeve për fëmijë me aftësi të kufizuara, ky projekt mbështet edhe fuqizimin dhe ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare në Qendrat e Kujdesit Ditor PEMA. Bazuar në këtë nevojë dhe mbështetje, PEMA shpall këtë ftesë për aplikim për Ekspert Vendor/Trajner.
Qëllimi dhe periudha kohore e angazhimit:
PEMA, kërkon të angazhoj ekspert/trajner për të ofruar trajnime, gjatë muajve Gusht – Tetor 2022, për këshilluesit psikosocial, të cilët ofrojnë shërbime në Qendrat e Kujdesit Ditor – PEMA për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe stafin menaxhues të Qendrave të Kujdesit Ditor – PEMA, lidhur me këto tematika:
- Promovimi i shërbimeve me bazë në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara;
- Ofrimi i shërbimeve psikosociale për fëmijët me aftësi të kufizuara, përmes vizitave në familje;
- Kujdesi dhe mbështetja e fëmijëve me aftësi të kufizuara;
- Vetëkujdesi për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara;
- Planifikimi strategjik i punës/aktiviteteve – Monitorimi dhe vlerësimi;
- Menaxhimi, raportimi, llogaridhënia dhe lidershipi – Komunikimi efektiv brenda organizatës.
Kualifikimet e kërkuara
- Diplomë universitare (preferohet niveli Master) në psikologji klinike, psikiatri, pedagogji/edukim inkluziv;
- Së paku 5-7 vite përvojë pune me fëmijë me aftësi të kufizuara;
- Së paku 5 vite përvojë pune në fushën e trajnimit dhe zhvillimit, duke përfshirë hartimin dhe ofrimin e programeve për ngritjen e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare për fëmijët me aftësi të kufizuara;
- Aftësi të mira të lehtësimit interaktiv dhe një qasje mësimore adaptive dhe dinamike për të siguruar që të mësuarit përshtatet sipas diskutimeve dhe pyetjeve që paraqiten.
Aplikimi
Kandidatët e interesuar ftohen të dërgojnë dokumentet vijuese për aplikim në: [email protected] më së largu deri më 29 Korrik 2022, në ora 16:00.
- CV-në
- 2 Referenca
- Propozim i shkurtër (dy faqe) për përmbajtjen dhe metodologjinë e trajnimit.