Kompani ose Ekspert/e në Menaxhimin e Biznesit Familjar
  • /
Skaduar
EKW
Prishtinë
Te tjera
Përshkrimi

Termat e Referencës (ToR)

Kompani ose Ekspert/e në Menaxhimin e Biznesit Familjar

Informata të përgjithshme:

Titulli i punës: Kompani ose Ekspert/e në Menaxhimin e Biznesit Familjar
Titulli i programit: Fuqizimi i Ekonomive Rurale në Bujqësi - EREA
Numri i kontratës së donatorit: P230046
Donator: Caritasi Zviceran
Vendi i projektit: Republika e Kosovës

Sfondi i projektit

EKW është organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2019 me seli në Prishtinë, cila me aktivitetet e saj angazhohet për trajtimin e problemeve komplekse sociale, për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm socio-ekonomik, që përfshin edhe të drejtat e grave, për të shmangur rritjen e pabarazisë gjinore dhe për të siguruar edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm, në një mjedis gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet.

EKW në partneritet me Caritas Switzerland në Kosovë për mbështetjen e zbatimit të programit EREA, ka një rol kyç në përmirësimin e pozicionit të qëndrueshëm të grave rurale dhe grupeve të margjinalizuara të angazhuara në bujqësi në Kosovë.

Bujqësia është një sektor kyç në ekonominë e Kosovës, ku shumë biznese janë të udhëhequra dhe të drejtuara nga familjet. Megjithatë, shumë prej këtyre bizneseve përballen me sfida të mëdha në menaxhimin e tyre. Disa prej sfidave kryesore përfshijnë mungesën e njohurive dhe aftësive të mjaftueshme në planifikimin dhe menaxhimin strategjik, përcaktimin e roleve dhe përgjegjësive, strategjive për zgjerimin e biznesit, si dhe vështirësitë në përshtatjen ndaj ndryshimeve në treg dhe teknologjive të reja. Këto sfida ndikojnë negativisht në efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e bizneseve familjare në sektorin e bujqësisë.

Është e rëndësishme të bëhet një vlerësim i situatës dhe sfidave të bizneseve familjare në bujqësi në Kosovë për të përmirësuar menaxhimin e biznesit dhe për të rritur qëndrueshmërinë, produktivitetin dhe konkurrencën e tyre. Një vlerësim i tillë do të ofrojë një pasqyrë të hollësishme të nevojave dhe sfidave të ndryshme të këtyre bizneseve dhe do të ndihmojë në zhvillimin e planit të trajnimeve të personalizuara që i adresojnë ato. Përveç kësaj, përmirësimi i aftësive të menaxhimit të biznesit do të ndihmojë në fuqizimin e grave në bizneset përkatëse, duke i pajisur ato me aftësi dhe njohuri të nevojshme për të pasur një rol më të fuqishëm brenda biznesit familjar, veçanërisht në aspektin e vendimmarrjes. E gjithë kjo do të ndihmojë në rritjen e qëndrueshmërisë, produktivitetit dhe konkurrencës së bizneseve familjare, si dhe në promovimin e zhvillimit ekonomik.

Objektivi i detyrës:

Objektivi kryesor është të mbështeten bizneset familjare në tre sektorët (Frutat manore: mjedra, boronica, dredhëza dhe frutat manore të tjera, Produkte pyjore jo-drusore, bimë mjekësore dhe aromatike dhe Përpunimi i perimeve dhe pemëve) e bujqësisë në Kosovë përmes përmirësimit të aftësive të tyre të menaxhimit të biznesit që adresojnë në mënyrë efektive sfidat unike me të cilat përballen këto biznese në kontekstin lokal. Konkretisht, objektivat janë:

  • Vlerësimi/Analiza e situatës aktuale, sfidave, pikave të dobëta të bizneseve familjare në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
  • Të përzgjedhen tri biznese familjare për të marrë pjesë në programin e trajnimit dhe të zhvillohet një plan trajnimi për këto biznese.
  • Mbajtja e trajnimeve të personalizuara të dizajnuara për bizneset familjare të përzgjedhura.

Kompania ose eksperti/ja e angazhuar duhet të ketë prioritet përshtatjen e planit të trajnimit për të fuqizuar gratë në bizneset familjare, veçanërisht në aspektin e vendimmarrjes. Kjo siguron që gratë në këto biznese të fitojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të pasur një rol më të fuqishëm në formësimin e strategjive dhe rezultateve të biznesit, duke kontribuar përfundimisht në rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës së bizneseve të qëndrueshme të udhëhequra nga familja. Duke përmirësuar aftësitë e tyre të menaxhimit të biznesit, bizneset e përzgjedhura, përfshirë iniciativat e udhëhequra nga gratë, do të pajisen më mirë për të kapërcyer sfidat, për të kapur mundësitë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin në komunitetet rurale.

Detyrat dhe përgjegjësitë:

Kompania ose eksperti/ja e zgjedhur do të jetë përgjegjës për:

1. Studimin e vlerësimit të nevojave: Të bëhet një studim gjithëpërfshirës për të vlerësuar gjendjen aktuale të 27 bizneseve familjare, duke përfshirë strukturën e tyre organizative, ndarjen e roleve dhe fushat e funksionimit.

  • Hartimin e një pyetësori për të përcaktuar nivelin e trajnimit dhe udhëzimit të nevojshëm, si dhe për të identifikuar aspektet më sfiduese që pengojnë efektivitetin e tyre.
  • Zhvillimin e intervistave të hollësishme dhe anketave me një qasje të ndryshme ndaj bizneseve familjare, për të kuptuar strukturat e tyre organizative, praktikat e menaxhimit dhe sfidat kryesore.
  • Analizimin e të dhënave për të identifikuar modelet e përgjithshme, trendet dhe fushat për përmirësimin e bizneseve pjesëmarrëse.
  • Përpilimin e një raporti të hollësishëm që përmbledh gjetjet e studimit rapid, duke përfshirë rekomandimet vepruese për të adresuar sfidat e identifikuara dhe për të përmirësuar efektivitetin e biznesit.

2. Zhvillimi i Trajnimit të Përshtatur: Bazuar në gjetjet e studimit të vlerësimit të nevojave, të përzgjedhen tri biznese familjare që demonstrojnë një nevojë dhe vullnet të vërtetë për të marrë pjesë në programin e trajnimit.

Të zhvillohet një plan trajnimi i personalizuar dhe përshtatur për nevojat dhe sfidat specifike të identifikuara gjatë vlerësimit. Trajnimi duhet të fokusohet në përmirësimin e ndarjes së roleve dhe përgjegjësive brenda organizatës, rritjen e efiçencës operacionale dhe ndërtimin e kapaciteteve në fushat kyçe të funksionimit që lidhen me çdo biznes.

  • Përdorimin e të gjeturave të studimit rapid për të zgjedhur tre biznese familjare që përfaqësojnë kategori të ndryshme të bizneseve, madhësive dhe lokacioneve gjeografike.
  • Bashkëpunimin me palët e interesuara për të finalizuar kriteret e zgjedhjes dhe për të siguruar transparencën dhe paanësinë në procesin e zgjedhjes.
  • Zhvillimin e materialeve trajnuese të personalizuara, punëtorive dhe sesioneve këshilluese bazuar në nevojat dhe sfidat e identifikuara në studimin rapid.

3. Mbajtja e trajnimeve: Mbajtja e trajnimev për bizneset e përzgjedhura familjare përmes një kombinimi të punëtorive, seminareve, sesioneve të mentorimit dhe ushtrimeve praktike.

  • Ofrimin e trajnimeve dhe shërbimeve këshilluese për bizneset e përzgjedhura në bashkëpunim me ekspertët e fushës.
  • Ofrimin e mbështetjes dhe udhëzimeve të vazhdueshme për të ndihmuar bizneset familjare t’i zbatojnë strategjitë dhe praktikat e rekomanduara në mënyrë efektive.
  • Përcaktimin e indikatorëve kryesorë të performancës (IKPs) për të matur ndikimin e trajnimeve dhe ndërhyrjeve këshilluese në bizneset e përzgjedhura.
  • Raport i detajuar i punës.

Rezultatet e pritura:

  • Takime të rregullta me EKW lidhur me koordinimin e punëve/aktiviteteve;
  • Përpilimi i Pyetësorit dhe mbajtja e vlerësimit;
  • Raport fillestar pas vlerësimit në terren;
  • Përpunimi i një raporti të hollësishëm që përmbledh gjetjet e studimit rapid rreth gjendjes aktuale të bizneseve familjare duke përfshirë rekomandimet;
  • Plani i trajnimeve të përshtatura;
  • Mbajtja e trajnimeve të përshtatura për secilin biznes familjar;
  • Raport i detajuar i punës.

Kohëzgjatja e detyrës dhe afatet

Angazhimi pritet të fillojë në qershor 2024 dhe të përfundojë në nëntor 2024. Kalendari i saktë do të finalizohet në konsultim me kompaninë ose konsulentin/en e zgjedhur.

Plani tentativ i kohëzgjatjes së detyrave:

Detyrat Ditët e punës Vlerësimi
Përpilimi/plotësimi i pyetësorëve dhe studimi 11 EKW, Caritas CH
Selektimi i 3 bizneseve 1 EKW, Caritas CH
Trajnimet për 3 biznese deri në 15 ditë* EKW, Caritas CH
Raporti final 1 EKW
Gjithsej 28  

* Vërejtje: ditët e trajnimeve variojnë varësisht nga të gjeturat e studimit.

Kualifikimet dhe përvoja:

  • Diplomë universitare (menaxhim biznesi, bujqësi, ekonomik ose të ngjashme);
  • Të paktën 2 vjet përvojë pune në çështje që lidhen me menaxhimin e biznesit familjar;
  • Përvojë e dëshmuar relevante në zhvillimin e studimit dhe trajnimeve në menaxhimin e biznesit familjar, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe njohuri rreth barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale;
  • Aftësi të forta të analizës dhe shkrimit të raporteve;
  • Aftësi të shkëlqyera në MS Word, Ecxel, Access dhe Power Point;
  • Aftësi në gjuhën shqipe dhe angleze të folur dhe të shkruar, njohja e gjuhës serbe është përparësi;
  • Aftësi të shkëlqyera bashkëpunimi/koordinimi;

Procesi i Aplikimit

Nga aplikantët kërkohet që të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në email: [email protected] dhe [email protected], më së largu deri më 10 Qershor 2024:

  • CV, duke treguar të gjithë përvojën e kaluar, diploma si dhe detajet e kontaktit (email dhe numrin e telefonit) të kandidatit dhe referencat profesionale;
  • Shprehja e interesit, e cila do të përfshijë metodologjinë gjithëpërfshirëse, planin e punës, përvojën e mëparshme që tregon njohuri për sektorin dhe qasjen e propozuar;
  • Plani buxhetor/financiar i sugjeruar dhe tarifave ditore individuale. Çmimet duhet të jenë pa TVSH;
  • Dokumentet e regjistrimit të biznesit (për kompani);

Abonohu dhe prano konkurset çdo ditë !

Po kërkon punë?

Atëherë regjistrohu dhe fillo të aplikosh në shpalljet e publikuara

Regjistrohu
Po kërkoni punëtor?

Atëherë regjistrohu dhe fillo të publikosh shpalljet tuaja të punës

Regjistrohu
Shkarko aplikacionet mobile për një eksperiencë më të mirë dhe njoftohu në kohë reale për shpalljet e fundit të punës
9030
186
1752
7320